|
Search |
|
|
|
|
Statistics |
42751 |
|
POROSI NGA AGJENCIA KOSOVARE PËR KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONËS I/E nderuar vizitor! Kjo është porosia e parë nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP). Që nga viti 2006 kemi patur një komunikim të vazhdueshëm me emrin Agjencia Kosovare e Pronës (AKP) dhe për vite të tëra kemi prezentuar punën, angazhimin dhe rezultatet e mëdha të Agjencisë në pranimin, regjistrimin, përpunimin dhe vendosjen e mbi 42 mijë kërkesave për kontestet pronësore të paraqitura në Agjenci. Përfundimi me sukses i mandatit të AKP-së i ka hapur rrugë themelimit dhe funksionalizimit të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP). Pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, datë 3.11.2016, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Themelimi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës është rezultat i Marrëveshjes për kthimin, krahasimin dhe verifikimin e regjistrave kadastralë të arritur në Bruksel në vitin 2011 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mandati i Agjencisë së re ka të bëjë me krahasimin e zgjidhjen e dallimeve në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të marra në Kosovë nga autoritetet serbe para qershorit vitit 1999 dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare. Si dhe zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe pronën private komerciale Meqë AKKVP është trashëgimtare e AKP-së, ju njoftojmë se me dispozitat kalimtare të këtij Ligji përcaktohet se pjesë të mandatit dhe përgjegjësive të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP) dhe Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore (DÇPB) të bartura në këtë Agjenci do t’i barten Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës kryesisht ato pjesë që kanë të bëjnë me implementimin e vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore si dhe pronave që aktualisht janë nën administrimin e AKP-së. Pra, të gjitha çështjet mandatore të AKP-së dhe DÇPB të papërfunduara do të përfundojnë si pjesë e mandatit të Agjencisë së re. Po ashtu, në të njëjtën kohë ligji i ri përcakton që asetet fizike, obligimet kontraktuale dhe ato buxhetore të Agjencisë Kosovare për Prona dhe asetet që më parë i janë bartur Agjencisë Kosovare për Prona nga Drejtoria për Çështje Pronësore dhe Banesore, do t’i barten Agjencisë së re. Kjo vazhdimësi e bartjes së burimeve njerëzore dhe aseteve fizike dhe atyre buxhetore, garanton një qëndrueshmëri me premisa suksesi përgjatë fazës së tranzicionit nga AKP në AKKVP. Duke marrë në konsideratë obligimin ligjor, sipas të cilit periudha transitore e kalimit të AKP-së në AKKVP do të zgjasë 90 ditë, menaxhmenti i Agjencisë ka marrë një sërë masash për përmbylljen me sukses të fazës së tranzicionit. Kështu, është krijuar Grupi për Mbikëqyrjen e fazës tranzicionale i cili është duke menaxhuar me sukses tranzicionin administrativo-teknik nga AKP- në AKKVP. Ky proces është shoqëruar me një serë masash dhe aktivtetesh teknike dhe administrative. Gjatë kësaj kohe, është ideuar, dizajnuar dhe miratuar logoja e Agjencisë së re, të cilën po e prezentojmë publikisht për herë të parë me këtë rast. Në anën tjetër është themeluar edhe Grupi për Ndryshimin dhe Plotësimi e Draft-Rregulloreve që ndërlidhen me punën dhe mandatin e Agjencisë. Ky Grup me sukses ka arritur të plotësojë 5 rregullore përkatëse të cilat tashmë i janë dërguar për aprovim Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Menaxhmenti dhe stafi drejtues profesional i Agjencisë ka vazhduar takime dhe kontakte me të gjitha institucionet relevante vendore si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ne vazhdojmë të besojmë se nevoja për mbështetje të gjithanshme të AKKVP-së do të shihet me interes nga partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë. Jemi të vetëdijshëm se me themelimin e AKKVP-së një punë e gjatë dhe e vështirë na pret në vitet e ardhshme, megjithatë, stafi i Agjencisë ka përvojën dhe përgatitjen e duhur profesionale dhe administrative për të ndërtuar dhe funksionalizuar një Agjenci e cila do të angazhohet në respektim dhe zbatim të përgjegjësive ligjore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Shpresojmë dhe besojmë se komunikimi ynë i ardhshëm do të zhvillohet në faqen e re të internetit e cila është në përgatitje e sipër. Me respekt, Florije Kika Zv/Drejtore Ekzekutive, U.D
|
|